top of page

RRETH MEJE

Akil Kraja

IMG_3134-41.jpg

Akil Kraja është kandidat për deputet në qarkun Tiranë, në listën e Partisë Demokratike.

Ai është ekspert i çështjeve të mirëqeverisjes, zhvillimit ekonomik dhe transformimit institucional. Me një eksperiencë tejet të pasur në pozicione drejtuese në sektorin publik e privat, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, ai është i angazhuar pranë Partisë Demokratike dhe kontribues i rregullt në mediat shqiptare.

 

Promovues i teknologjive të reja dhe i një ekonomie të lirë, ai beson tek një shekull shqiptar i Ballkanit dhe një zhvillim i qëndrueshëm për Shqipërinë brenda hapësirës europiane. Akili është i martuar, baba i një vajze dhe banues në Tiranë.

 

- o - o - o​​ -​​

Video CV

Ndiq një video rrëfim mbi rrugëtimin tim, që nga hapat e parë në media dhe deri në angazhimin politik timin gjatë viteve të fundit.

Formimi Akademik​

Pas diplomimit pranë shkollës së mesme “Asim Vokshi” në Tiranë në vitin 2004, Akil Kraja u pranua si i pari student shqiptar pranë ciklit të studimeve mbi Evropën lindore të prestigjiozes SciencesPo Paris, ku dhe u diplomua me Master në “Menaxhim Publik Ndërkombëtar” në vitin 2009. 

​​

Në paralel, ai u pranua dhe në kursusin e dyfishtë me Universitetin Bocconi në Milano ku u diplomua me Masterin për “Ekonomi dhe Menaxhim të Administratës Publike dhe të Institucioneve Ndërkombëtare”. 

 

Kraja ishte sërish i pari student shqiptar që u pranua në ciklin e gjatë të studimeve pranë Shkollës së Administratës Publike - ENA Strasburg ku u diplomua me një MPA në “Administrim publik” me vlerësimin Magna Cum laude në vitin 2011.

Eksperienca profesionale​​

Profilizimi i tij ndërkombëtar me fokus zhvillimin ekonomik bëri që Akil Kraja të zgjedhë të kthehet në Shqipëri pas 9 vitesh jashtë vendit dhe të fillojë karrierën e tij pranë AIDA-s si Drejtor i Promovimit të eksporteve dhe Biznesit të vogëlë ku zhvilloi nisma të ndryshme në drejtim të inteligjencës ekonomike, kulturës sipërmarrëse dhe zhvillimit të prodhimeve shqiptare. 

 

Specializimi i tij ekonomik vijoi dhe gjatë kalimit në sektorin privat ku Akil Kraja mbuloi pozicione drejtuese të fokusuara në financimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, zhvillimin ekonomik dhe atë rural, si dhe zhvillimin e sipërmarrjes shqiptare. Në këto pozicione, ai u angazhua të promovonte risi teknologjike, fushata sensibilizuese pro-biznesit dhe kundra shpopullimit, ashtu si dhe lartësimin e sektorit sipas standarteve më të larta evropiane.

Para rikthimit në Shqipëri në vitin 2012, Akil Kraja ka patur eksperienca të ndryshme pranë Prefekturës Champagne-Ardenne në Francë, pranë Komisionit Europian në Bruksel apo dhe Këshillit të Europës në Strasburg në drejtim të promovimit të demokracisë vendore dhe fondeve strukturale evropiane. Ai ka patur gjithashtu eksperienca në New York ku u angazhua në realizimin e një dokumentari mbi të drejtën e votës në SHBA, ashtu si dhe pranë Qeverisë së Kosovës në javët e para pas shpalljes së pavarësisë. 

Angazhimi publik​​​

Ishte emisioni televiziv “Troç” pranë TVSH-së i cili simbolizon angazhimin e parë publik të Akil Krajës. Një iniciativë e mbështetur nga UNICEF prej krijimit të tij në vitin 2000, emisioni “Troç” ishte një risi për peisazhin mediatik të kohës duke denoncuar gjendjen e rënduar të arsimit shqiptar në ato vite, problemet e drogës, të emigrimit, degradimin e mjediseve socio-kulturore të rinisë apo dhe efektin e luftërave të Ballkanit mbi jetët e të rinjve në rajon.

 

Pasioni për çështjet ballkanike ka vijuar dhe pas largimit jashtë vendit duke bërë që Akil Kraja të bashkë-themelojë dhe të zgjidhet Presidenti i parë i një organizate studentore - BBE, me fokus Ballkanin, të bazuar në Dijon, Francë, dhe që është ende sot e kësaj dite aktive. BBE organizoi një seri takimesh të përvitshme të nivelit më të lartë, dedikuar sigurisë dhe bashkëpunimit në Ballkan dhe që u mbështet nga NATO, Komisioni Europian, LeMonde, Courrier des Balkans etj. Ndër pjesëmarrësit në këto takime mund të citohen Z.Arnaud Danjean, Z.Eduard Kukan, Znj. Tanja Fajon, Znj. Doris Pack, Z.Pierre Mirel, Z.Veton Surroi, Z.Artan Fuga etj. 

 

Pas rikthimit në Shqipëri, Akil Kraja u angazhua pranë Partisë Demokratike duke integruar Këshillin Kombëtar në vitin 2014, ndjekur nga emërimi i tij si Drejtori i parë i fondacionit zyrtar të Partisë Demokratike, Fondacioni për Liri dhe Demokraci, ku dha një kontribut në drejtim të hartimit të programeve dhe raporteve elektorale; të organizimit të konkurseve apo trajnimeve drejt të rinjve dhe këshilltarëve bashkiakë; konferencave të ndryshme, si dhe në promovimin e praktikave të mira nga partitë simotra europiane. 

 

Zoti Kraja ka qënë i zgjedhur si anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë në vitet 2015 – 2019, periudhë gjatë së cilës ka drejtuar Komisionin e Punëve Publike. Ai ka kontribuar në ngritjen e tematikave të ndryshme me interes për qytetin e Tiranës ku vlen të theksohen çështjet që prekin inceneratorin & landfillin e Sharrës, taksat vendore, ndërtimet pa kriter dhe çështjet mjedisore. Instituti i Studimeve Politike - ISP, në një vlerësim të angazhimit të Këshilltarëve Bashkiakë, e ka identifikuar Akil Krajën si këshilltarin më aktiv gjatë atij mandati.

 

Prej vitit 2022, ai është Drejtor i Kabinetit të Kryetarit të Partisë Demokratike si dhe anëtar i Këshillit Kombëtar. 

bottom of page