Përballë Veliajt ose ëndrra e të bërit politikë.
- Akil Kraja
- Apr 29, 2018
- 4 min read
Updated: Jul 21, 2024

Teksa u mblodh Këshilli Kombëtar i PD-së, disa dashamirës shprehën kuriozitetin e tyre për këtë këmbëngulje timen në të bërit “politikë”. Përse kë shkrime? Përse ky angazhim? Përse ky investim, kjo kokë-fortësi, kjo betejë e këto energji, dhe për më tepër kundra krye-bashkiakut Veliaj që nga shumë kush shihet ende si i pathyeshëm?
Përse vallë dikush duhet të ketë ambicien e politikës në një kohë kur sot më shumë se kurrë, politika shihet si e deligjitimuar, e kritikuar, e ndotur, e kapur nga interesa kriminale e klienteliste?
Përse dikush duhet të merret me politikë kur ajo sot shihet si problemi dhe jo zgjidhja; si mallkimi e jo bekimi i një populli sovran; si një mjet pasurimi vetjak e jo shërbimi kombëtar; si një instrument për interesa korruptive e jo një platformë për vizione zhvillimore.
Të shumtë janë ata që më pyesin: përse?
Një përgjigje e shkurtër : javën e kaluar gjykata shpalli si të pafajshëm dhe dy personat e fundit të përfshirë në vrasjen e 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj. Një vrasje e ndodhur në landfillin e Sharrës administruar nga Bashkia Tiranë. Politika tek e cila besoj, nuk mund të heshtë përballë një padrejtësie e tragjedie të tillë, përballë një vrasjeje të dyfishtë si kjo.
Një përgjigje më e detajuar : I përkas një brezi të ri i cili e përjetoi “tranzicionin” si një mundësi unike për t’u përfshirë në realizimin e një kapitulli të ri për vendin. Tranzicioni na u paraqit si diçka e përkohshme, e shkurtër, e mirë-menduar, si një periudhë në fund të cilës një brez i ri do të merrte “frenat e vendit” duke e drejtuar Shqipërinë drejt integrimit të plotë euro-atlantik, drejt mirëqenies e begatisë kombëtare, drejt demokracisë së plotë...
U rritëm duke menduar se ishim pjesë e një brezi të ri demokratik.
Na u tha që mund të ishim vektorë ndryshimi. Projekte, trajnime e aktivitete të pafundme. Këshilla rinorë, Parlamente rinore, Shoqata rinore... Idealizmi ishte i madh. Në këtë vorbull demokratizimi të rinisë shqiptare u krijua dhe “Mjaft-i” i Erionit.
Në fillim një nismë e bukur, në të cilën shumë të rinj ambiciozë u angazhuan, por që shumë shpejt u përmbyt nga lumi i pakontrolluar i donatorëve. Kur paraja kthehet në qëllim në vetvete, idealizmi i lë vend oportunizmit pragmatist dhe ti bëhesh pjesë e të njëjtit korrupsion moral e financiar që pretendon se lufton. Kjo duket se ndodhi fatkeqësisht me Mjaft-in, por dhe me dhjetëra nisma të tjera rinore që u tjetërsuan nga vetë themeluesit që i krijuan ato.
Por në paralel, kishte dhe nisma tërësisht vullnetare si “Troç-i”. Një edicion lajmesh transmetuar nga TVSH ku të rinj të pasionuar nga i gjithë vendi prodhonin “gazetari” me kamera e mikrofon në dorë. Si një ndër themeluesit e tij, ky angazhim unik më dha mundësinë të udhëtoja në çdo cep të vendit, të njihesha me të rinj të shumtë (artistë, studentë ekselence, të droguar, të burgosur...) por dhe me politikanë e personazhe publikë.
Ishte gjatë kësaj eksperience që u kalit dhe ambicia ime për politikën. Por “mikrofoni” të ofronte një rehati që nuk më shkonte për shtat. Ngritja e pikë-pyetjeve nuk më mjaftonte. Unë luftoja të ndryshoja përgjigjen, jo ta zbardhja atë në një kronikë televizive apo në një raport projekti. Ndaj dhe në vijim zgjodha të studioja jashtë vendit për menaxhim e shkenca politike në Paris, Milano e Strasburg. Madje, me mbështetjen e NATO-s e Komisionit Europian, u angazhova dhe në bashkë-themelimin e një shoqatë ballkanike që jeton ende sot. Kthimi në vendlindje ishte përherë objektivi ultim. Ndaj krejt natyrshëm, pas rreth 9 vitesh jashtë vendit, zgjodha administratën publike dhe shërbimin ndaj vendit tim.
Këtu gjen rrënjë dhe antagonizmi im me Veliajn.
Ne përfaqësojmë dy histori të ndryshme të të njëjtës periudhë; dy eksperienca krejt të kundërta të formimit akademik e profesional jashtë vendit; dy qasje në antipod të mënyrës sesi një i ri përfshihet në debatin publik; dy forca e dy vizione politike antagoniste që luftojnë për drejtimin e të njëjtit qytet. Ne përfaqësojmë dy produkte, dy histori dhe dy modele të ngjashme por thellësisht të ndryshme sesi një i ri jetëson ëndrrën e tij e të bërit politikë.
Dhe për shkak të këtij kontrastimi në ngjashmëri, sot unë ndihem i vërtetë ndaj vetvetes. Nuk jam paguar kurrë për t’i thënë gjërat “Troç”, diplomat e mia i ekspozoj pa ndrojtje në murin e zyrës sime, CV-në e kam publike, dhe vesh atlete pasi nuk kam shofer e eci shumë.
Dhe si i tillë, unë nuk kam pse të hesht për Arditin dhe nuk do të lë rast pa e përmendur atë. Nuk do të rresht së denoncuari fasadat, mashtrimet e propagandën e ulët që kërkon të mbulojë shkatërrimin urbanistik apo masakrën fiskale ndaj kryeqytetit tonë. S’do të ndalem së bëri opozitë deri kur forca politike që përfaqësoj do të mbetet e vërtetë ndaj vlerave të saj si dhe ndaj qytetarëve që e kanë votuar atë.
Këtu gjen rrënjë dhe idealizmi im. Këtu buron dhe ëndrra ime e të bërit politikë. Tek pasqyra e vlerave personale që më kanë drejtuar në çdo hap timin, si dje, ashtu dhe sot. Dhe derisa të besoj në këtë ëndërr e në këto vlera, nuk do rresht së shtuari faqet dhe përmbajtjen e këtij profili të angazhuar.
Comments